Tuheli i dëshpëruar: “Akush nuk na pyeti, nëse ishim në gjendje të luanim!”

Lojtarëve të Borusias së Dortmundit me siguri që do t’u duhet edhe disa ditë që ta marrin veten dhe të stabilizohen nga shoku që pësuan të martën e fundit, kur rrugës për në stadiumin “Signal Iduna Park”,  pak kohë pasi ishin nisur nga hoteli, u bënë objektiv i një sulmi me shpërthim lënde eksplozive që, fatmirësisht, kaloi pa viktima dhe pa pasoja serioze. Për shkak të kësaj ngjarjeje të hidhur, ndeshja çerekfinale e Ligës së Kampioneve mes Borusias dhe Monakos u shty dhe u zhvillua, pa kaluar as 24 orë, dhe ajo përfundoi 3-2 në favor të ekipit vizitor francez.

Trajneri i Borusias, Tomas Tuhel, nuk e fsheh zemërimin e tij kundrejt krerëve të UEFA-s që, sipas tij, nuk e kuptuan aspak seriozitetin e situatës. “Neve na u bë një trajtim i turpshëm nga UEFA. Neve na trajtuan si një shishe birre të zbrazur të flakur tej. Neve na duhej një kohë e caktuar që ta merrnim veten pas ngjarjes së hidhur, lojtarëve tanë u duheshin edhe disa ditë që ta merrnin veten, por jo, askush na pyeti, por na thanë se ne duhet ta zhvillnim ndeshjen të nesërmen. Nuk e them këtë për të justifikuar humbjen, por, më të vërtetë, ajo që ndodhi, kërkonte disa ditë që të kapërcehej. Sidoqoftë, tani, ne kemi kohë që ta marrim veten dhe të përgatitemi për ndeshjen revansh”, tha Tuheli.

sfidanti.al