Thonë për 60 000, por edhe më shumë tifozë të Liverpulit priten në Paris!

Kanë nisur të mbërrijnë gjatë ditës së sotme dhe shumë të tjerë do të vijnë këtë të shtunë. Tifozët e Liverpulit kanë mësyrë masivisht drejt Parisit për finalen e Ligës së Kampionëve ndaj Realit, duke përfituar edhe nga afërsia gjeografike dhe lehtësia për të udhëtuar. Një numër i madh njerëzish e bënë rrugën me tren që nga Londra përmes tunelit nën Kanalin e La Manshit, shumë të tjerë fluturuan me avion, ndërsa ka pasur mjaft të tjerë që kanë udhëtuar me makinat personale, furgonë apo autobusë. Sipas autoriteteve priten 60 000 tifozë të kuq, për të cilët do të “kujdesen” 6 000 forca policore, por me gjasë do të jenë më shumë, pse jo 80 000 apo edhe më lart. Nga Madridi, sipas mediave, priten më pak tifozë të Realit. “Stad dë Frans” është një stadium me 80 000 vende, dhe secila tifozeri do të ketë nga 20 000 bileta.

Sfidanti.al