Si e përgatit Fliku finalen? “Këshill lufte” me 6 kapitenët e Bajernit!

Nuk është vetëm teknika, taktika dhe përgatitja fizike, por ka shumë rëndësi edhe motivimi. Tek Bajerni e dinë se janë favoritë për finalen e Ligës së Kampionëve, edhe pse luajnë ndaj Paris SG, dhe trajneri Hansi Flik nuk dëshiron një dështim si ai i vitit 2012. Në atë kohë, bavarezët ishin stërfavoritë ndaj Çelsit, me finalen që u luajt në Mynih, por përfundimisht humbën pas gjuajtjeve të penalltive.

Fliku e ka vendosur theksin tek motivimi i lojtarëve të tij, dhe për këtë arsye pati një takim të ngushtë me ata që cilësohen si 6 lojtarët udhëheqës të skuadrës. Në takimin e zhvilluar në fushën e stërvitjes, trajneri bisedoi me kapitenin Manuel Nojer, me Tomas Mylerin, Robert Levandovskin, Xhoshua Kimihun, Tiago Alkantarën dhe David Alabën. Besohet se këta të gjashtë do të dinë të udhëheqin Bajernin në finalen ndaj Paris SG.

Sfidanti.al