Rakitiç, bilancin e kujt do të shpëtosh, Barçës apo PSG-së?!

Është 30 vjeç dhe klauzola prej gati 120 milionë eurosh duket e vështirë që të aplikohet për të. Gjithsesi, Ivan Rakitiç mbetet i rëndësishëm, aq më shumë si nënkampion i botës me Kroacinë, ndërsa për të po bëhen llogari të ethshme nga Paris SG dhe nga Barcelona.

Kroati ka shkëlqyer në “Kamp Nou”, por drejtuesit katalanas po e mendojnë një kalim të tij në Francë, pasi duhet të rregullojnë bilancet. Për momentin, klubi shpenzon mbi 70 për qind të të ardhurave vetëm për të paguar rrogat (84 për qind, saktësisht). Kjo duhet të ndryshojë.

PSG flitet se ka ofruar 81 milionë paund stërlina, që do të thotë më shumë se 90 milionë euro, por përgjigja e parë katalanase ka qenë “jo”. Trajneri Valverde, që kujdeset për ecurinë e skuadrës, u shpreh menjëherë se “unë nuk jam këtu që të bëj biznes, por që të fitoj trofe”. Gjithsesi, nëse parizienët japin 120 milionë euro për një 30-vjeçar, ndoshta Barcelona do të kandiset. Kjo, vetëm me një kusht, që vetë Rakitiç të ketë dëshirë të largohet.

Sidoqoftë, nuk duhet të harrojmë edhe diçka tjetër, që vetë Paris SG thuhet se ka probleme me bilancet, pra a mund të shpenzojë kaq shumë? Pyetja është për Rakitiçin: Bilancin e kujt do të shpëtosh, të Barçës apo të PSG-së?

Sfidanti.al