Prag Vllaznia-Juventus, a do të ndodhë mrekullia sonte në “Loro Boriçi”?!

E duan një tjetër emocion të tillë, ndonëse e dinë se do ta kenë të vështirë. Vllaznia e futbollit të femrave vërtet është një hap larg fazës së grupeve në Champions, por sfida e sotme në “Loro Boriçi” në orën 19:00 pritet të jetë e vështirë përtej çdo imagjinate. Përballë vajzave shkodrane do të jetë kampionia e Italisë, Juventusi, ekip me ambicie të mëdha dhe që e mbylli sezonin e kaluar në Itali me 22 fitore në 22 ndeshje. Edhe shqiptaret nuk ishin më pak, por ajo ishte Seria A dhe jo Superliga jonë. Jo më kot, parashikimet janë tërësisht për italianet, dhe fitorja e Juves kuotohet 1.07, e ajo e Vllaznisë plot 25 apo edhe 30 e 37. Gjithsesi, kapitenia Esmeralda Franja, nuk dëshiron të dorëzohet dhe thotë se synohet rezultat pozitiv. Juventusi mbërriti në Shkodër dhe u akomodua në njërin nga hotelet e qytetit, ndërsa italianet ishin të qeta dhe nuk bënë deklarata për mediat. Vllaznia, ndërkaq, ndihet në formë shumë të mirë pasi kaloi Ferencvaroshin e Hungarisë në raundin e kaluar të Championsit, pas gjuajtjes së penalltive.

Sfidanti.al