Sezonin e shkuar ishte një nga shpresat e mëdha të futbollit anglez, por edhe atij gjerman. Leroi Sane dukej i paracaktuar nga fati për të triumfuar me fanelën e Mançester Sitit dhe të Gjermanisë, me shpejtësinë e tij rrufe, me teknikën, vizionin e lojës dhe gjuajtjet. Gjithsesi, në maj-qershor, zhgënjimi ishte i plotë pasi Joakim Lëv nuk e mori në Botëror (kampionët e botës dështuan), ndërsa në nisje të edicionit të ri, Pep Guardiola sikur e la disi pas dore.
Sot, ato kohë janë lënë pas, dhe Sane e tregoi klasin e tij në fitoren e Sitit në Champions, ndaj Hofenhajmit. Gjermanët kaluan në avantazh me sulmuesin kroat, Kramariç, por Sane fillimisht barazoi me goditje dënimi, dhe në pjesën e dytë i dha fitoren kampionëve të Anglisë. Ai ka 10 gola këtë stinë sportive, 8 me Sitin dhe 2 me Gjermaninë. Deri tani, është sezoni më i mirë i karrierës.
Në moshën 22-vjeçare ai nuk mund të bëjë tjetër përveçse të përmirësohet, dhe të nderojë dy prindërit e tij sportistë, babain me origjinë nga Senegali, ish-futbollistin Sulejman Sane, dhe nënën gjermane, ish-gjimnasten Regina Veber.
Sfidanti.al