Hansi Flik i lumtur me “mrekullinë fizike” të Bajernit, por Myleri ishte me nerva

Edhe ai vetë sikur u habit nga ajo që përjetoi. Kampionët e Europës ishin një kënaqësi për t’u shikuar, aq sa trajneri Hansi Flik nuk i kurseu lavdërimet. Që nga 18 shtatori e deri tani, Bajerni ka luajtur 4 ndeshje në Bundesligë, një në Kupën e Gjermanisë, finalen e Superkupës së Gjermanisë dhe finalen e Superkupës së Europës, si dhe ndeshjen e parë në Champions. Përveç kësaj, lojtarët kanë pasur edhe ngarkesë me ndeshjet e kombëtareve, dhe e gjitha kjo në rreth 32 ditë.

“Ne shënuam gola shumë të bukur, – tha Fliku, – loja jonë thjesht ishte shumë e mirë. Detyra nuk ishte e lehtë, por ne ia dolëm mbanë. Jam i kënaqur, ishte shumë e rëndësishme të fitohej kjo ndeshje. Kryesorja ishte që ne ishim shumë mirë fizikisht dhe kjo na ndihmoi të fitonim dyluftimet e të zbatonim planin tonë. Duhet të jemi të kënaqur me këtë që arritëm, jo thjesht për rezultatin. Pavarësisht kohës së shkurtër për t’u përgatitur, ne ishim lart”. Gjithsesi, nëse trajneri i tij ishte i lumtur, Tomas Myleri ishte shumë i mërzitur për kartonin që mori ndaj Atletikos, duke akuzuar gjyqtarin: “Mos po tallesh me mua? Ne po luajmë me “vjedhësit” e Europës dhe ju më jepni të verdhë?” Myleri luajti shumë mirë duke dhënë dy asistë për gol.

Sfidanti.al