Flik rrëzohet në stadiumin e Beogradit: Unë nuk jam kaq i rëndësishëm!

Bajerni luan në Serbi për Ligën e Kampionëve dhe trajneri i tij është ylli i momentit. Gjithsesi, ky yll me emrin Hansi Flik pati një moment të pakëndshëm kur hyri në tunelin e lojtarëve në stadiumin “Rajko Mitiç” (“Marakana” në zhargonin popullor) të Beogradit,. Trajneri bavarez rrëshqiti nga sipërfaqja e lagësht, dhe u shtri sa gjatë-gjerë. Pamjet e rrëzimit nuk ishte e mundur të shiheshin në transmetimin direkt të stërvitjes në FB të Bajernit, por zërat u dëgjuan qartë në minutën e dytë.

“Nuk kam asnjë problem, – tha me të qeshur Fliku, – në fund të fundit, unë nuk jam shumë i rëndësishëm. Si trajnerë, ne jemi këtu për hir të lojtarëve, për t’i ndihmuar që ata të luajnë sa më mirë. Gjëja më e rëndësishme është klubi. Unë thjesht po kënaqem që jam trajner i Bajernit”.

Sfidanti.al