Është norvegjezi më i njohur për momentin, dhe një nga të rinjtë më të mirë të futbollit në Europë. Eling Haland thuhet se po jeton një ëndërr, me suksesin në Bundesligën austriake, por sidomos në Champions, ku këtë mesjavë ka sfidën vendimtare ndaj Liverpulit. Sulmuesi shtatlartë cilësohet si objektiv i mundshëm i Mançester Junajtidit, por edhe është rivali më i rrezikshëm i ekipit të Jurgen Klopit.
Nëse Salcburgu fiton, dhe nëse Napoli nuk humbet ndaj Genkut, atëherë Liverpuli eleminohet. Shumëkush kujton heroizmat e Halandit në “Anfild”, kur austriakët thuajse barazuan, por vetë sulmuesi është me këmbë në tokë. “E rëndësishme është që ne të luajmë me mendje të kthjellët, – thotë ai, – pa presion. Ne nuk kemi asgjë për të humbur, dhe do të dalim në fushë që të kënaqemi. Do të jetë ndeshja më e madhe e karrierës sime deri tani. Jam i sigurt se do të shënojmë, edhe pse Liverpuli është skuadër fantastike”. Haland ka shënuar 27 gola në 21 ndeshje deri tani në të gjithë konkurrimet, si dhe ka shërbyer 7 asistë. Junajtid besohet se është gati ta marrë, por edhe Juventusi është i gatshëm të paguajë 20 milionë eurot e klauzolës në kontratën e tij.
Sfidanti.al