Do edhe një muaj, por Bajerni trembet për tifozët e tij në Beograd!

Në 26 nëntor, kampionia e Gjermanisë do të luajë në fushën e Crvena Zvezdës ndeshjen e javës së pestë të Championsit. Drejtuesit e klubit bavarez, edhe pse duhet rreth një muaj derisa të vijë dueli, janë të shqetësuar për fatin e tifozëve, dhe kanë bërë një paralajmërim që tani. Nëpërmjet një mesazhi në postën elektronike (e-mail), tifozët njoftohen se nuk do të kenë probleme për të hyrë në Serbi, apo për të shëtitur nëpër Beograd, pasi qytetarët e thjeshtë janë njerëz normalë.

Problemet mund të ekzistojnë kur të afrohen në stadiumin e mbiquajtur “Marakana”, pasi mund të ketë sulme nga grupe rivale, po ashtu impianti i Crvena Zvezdës nuk i ka standardet e Europës Qendrore, siç shkruhet në sqarimin e bavarezëve. Përkrahësit e Bajernit duhet të kenë parasysh se tifozët e Zvezdës janë famëkeqë për përdorimin e sendeve piroteknike, me të cilët mund të sulmojnë kundërshtarët. Bajerni ka marrë 2 089 bileta për ndeshjen e 26 nëntorit në Champions.

Sfidanti.al