Reali dhe Juventusi po bëjnë plane për një shkëmbim interesant gjatë “dritares” dimërore të transferimeve, njofton media italiane. Sikurse dihet, Juvja është mjaft e interesuar për shërbimet e mbrojtësit të majtë të Realit, Marselo, të cilin klubi torinez u përpoq pa sukses që ta merrte gjatë verës.
Marselo mbeti në “Santiago Bernabe”, por ai, sikurse thuhet, nuk i ka marrëdhëniet e mira me trajnerin e ri, Hulen Lopetegi, që në ndeshjen me Xhironën i tregoi futbollistit brazilian se ai nuk është i pazëvendësueshëm. Në këto kushte, Marselo po mendon që të largohet nga Madridi dhe të bashkohet me mikun e tij, Ronaldo, te Juventusi, ndërkohë që klubi “mbretëror” ka filluar të kërkojë një zëvendësues të tij.
Media italiane vë në dukje se Juventusi është gati që të dërgojë në Madrid Aleks Sandron që të sigurojë ardhjen e Marselos në radhët e veta gjatë sezonin të ardhshëm dimëror të transfestimeve. Kjo rokadë bëhet edhe më reale, duke pasur parasysh faktin se, sipas rregullit të ri të Ligës së Kampioneve, një lojtar mund të luajë në këtë ligë me dy klube të ndryshëm, nëse transferohet.
Sfidanti.al