“Yndyra” europiane është diçka që nuk e kanë ata që nuk e kanë jetuar Europën. E kanë vuajtur këtë minus skuadra angleze si Blekbërni, Njukasëlli apo Leisteri (padyshim, për shumë vjet edhe Mançester Siti), e provoi të keqen edhe Atalanta, që luajti ndaj një kundërshtari inferior në letër, por superior në përvojë. Dinamo e Zagrebit shkaktoi një të papritur, por edhe u konfirmua me fitoren 4-0. Lojtarët shumë të mirë si portieri Livakoviç, spanjolli Olmo, kapiteni Arijan Ademi, Marin Leovac apo shënuesi i 3 golave, Mislav Orshiç, bënë të mundur këtë mrekulli.
“Me të vërtetë luajtëm në mënyrë madhështore, – tha Ademi, shqiptar nga Maqedonia, – kjo është histori. Nuk di ç’të them sepse jam ende nën ndikimin e emocioneve. Kishim përballë një prej ekipeve më të mirë italianë. Përgëzime lojtarëve, trajnerëve, drejtuesve, le të festojmë, por shpejt t’i kthehemi punës, sepse kemi ndeshje të tjera”.
Suksesi 4-0 u cilësua si një nga ndeshjet më të mira në historinë e Dinamos, i krahasueshëm me finalet në Kupën UEFA (të Panaireve) ndaj Lids Junajtidit në 1967, me suksesin 4-1 ndaj Bajernit apo 3-0 ndaj Juventusit po ato vite, me fitoren 3-0 ndaj Crvena Zvezdës, 5-0 ndaj Partizanit të Beogradit dhe 3-0 kundër Sëlltikut.
Njëkohësisht me të, tifozët e Dinamos, të mbiquajturit “Djemtë e Këqinj Blu” (BBB), kujtuan edhe 30-vjetorin e paraqitjes së një lojtari që ka mbetur në zemrat e tyre, të cilësuar si një nga legjendat më të mëdha të klubit, Kujtim Shalës. Ata i kushtuar video dhe dedikim golit që shënoi ndaj Hajdukut në ndeshjen e parë, dhe vrapimin e çmendur drejt tribunës “Veri”, kur u bë i adhuruari i tifozëve, ashtu si ish-trajneri i ndjerë, Josip Kuzhe.
Sfidanti.al