Analize epike e Murinjos: Ajaksi kujtonte se po luante me Vitezen!

Trajneri i njohur portugez, Zhoze Murinjo, kritikoi taktikën dhe filozofinë e lojës së trajnerit të Ajaksit, Erik Ten Hag, duke vënë në dukje se ekipi amsterdamas duhet ta kishte ndryshuar mënyrën e lojës në pjesën e dytë dhe se ai duhet të kishte luajtur një futboll më mbrojtës, ndërkohë që mbas pjesës së parë ishte në avantazh 3-0 (bashkë me ndeshjen e parë).
“Thelbi i filozofisë është që të bësh një ekip që të ecë në drejtimin e duhur dhe çdo ekip zhvillohet mbi bazën dhe mënyrën e vet të lojës, ndërkohë që kësaj të fundit duhet t’i përshtaten cilësitë e çdo futbollisti. Ajaksi meriton respektin e të gjithë atyre që e duan futbollin. Por që të fitosh, sidomos në ato ndeshje që konsiderohen ‘speciale’, nganjëherë duhet të heqësh dorë nga filozofia jote, pra duhet të veprosh kundër filozofisë tënde që të fitosh…
Ajaksi në pjesën ë dytë të ndeshjes duhet të kishte luajtur më në mbrojtje. Unë pashë se në shumë sulme merrnin pjesë Blindi dhe De Lihti, duke lënë hapësira boshe mbas vetes në mbrojtje. Është e rëndësishme se, kur je në avantazh, duhet të bësh balancën dhe jo të vazhdosh të luash pa balancë. Dhe balanca fillon te vija e mbrojtjes, atje, ku duhet qëndronin lojtarët kryesorë të saj, kurse Ajaksi vazhdonte të luante sipas filosofisë së vet, a thua se po luante kundër Vitezes në kampionatin holandez!
Kurse Totenhemi, nga ana tjetër, luajti një futboll të drejtpërdrejtë dhe pati fat, por ama edhe fatin duhet ta meritosh dhe ai e meritoi fatin”, vuri në dukje Zhoze Murinjo.
Sfidanti.al