Nëse nuk do të rikuperohet në kohë, shumëkush do ta sulmojë “me gurë” trajnerin Ten Hag. Frenki De Jong doli nga fusha që në minutën e 28-të të ndeshjes së Eredivizies holandeze ndaj Ekselsiorit të Roterdamit, fituar me shifrat 6-2. Mund të thuhet se ishte një vendim i gabuar për të aktivizuar yllin kryesor të skuadrës, organizatorin e lojës, ndërsa mesjavën e ardhshme është dueli i kthimit në Champions ndaj Juventusit.
Gjithsesim Ten Hag nuk e kishte edhe aq të thjeshtë dhe nuk mund të bënte si Alegri i Juves apo Valverde i Barcelonës. Torinezët dhe katalanasit i kanë titujt “në xhep”, përkatësisht në Itali dhe Spanjë, ndërsa Ajaksi mbetet në një luftë të ashpër me PSV Ajndhovenin, kur duhen edhe 4-5 javë deri në përfundim. Kjo do të thotë se formacioni nga Amsterdami nuk kishte luksin të linte lojtarë pushim meqë po lufton në dy fronte.
Sfidanti.al