Në një intervistë për “Gazzetta dello Sport”, Fabio Capello analizoi momentin delikat që po kalon Milani, duke shprehur mendimet e tij mbi zgjedhjet e merkatos verore dhe rolin e trajnerit Paulo Fonseca në këto vendime:
“Para se të pyesim nëse merkatoja ishte ose jo e qëlluar, duhet të bëjmë dy pyetje: Kush i mori vendimet? Dhe mbi të gjitha, a janë bërë zgjedhjet në përputhje me kërkesat e Paulo Fonseca, trajnerit? Vetëm duke ditur këto përgjigje mund ta kuptojmë më mirë situatën.
Impresioni im është se për disa blerje, por edhe për disa largime, nuk janë bërë vlerësime të matura nga pikëpamja sportive, aq më pak janë marrë parasysh nevojat e trajnerit portugez. Kur them ‘vlerësime të matura sportive’, më kujtohet gjithmonë Ariedo Braida, një drejtues me kompetencë të jashtëzakonshme.
Braida ishte i aftë jo vetëm të vlerësonte nivelin e një lojtari, por edhe të kuptonte nëse ai ishte i përshtatshëm për të luajtur te Milani. Kujtoj gjithmonë fjalët e tij: Ky lojtar është i mirë, por a vlen për ‘San Siro’? Nuk është si të luash diku tjetër; ka një peshë specifike të ndryshme”.
Për blerjet e verës: “Për shembull, Emerson Royal nuk më duket i përshtatshëm për Milanin. Nuk është një blerje që do ta bëja, sepse nuk përmirëson zonën ku tashmë kishe Calabria, të riun Jimenez dhe Kalulu, i cili do të ishte i dobishëm edhe si qendërmbrojtës. Edhe unë mendoj se duhej një mbrojtës i djathtë, por nëse e blen, duhet të jetë një lojtar që e ngre nivelin. Me brazilianin kjo nuk ndodhi”.
sfidanti.al