Nga 1724 teste për koronavirus të bërë për futbollistët, vetëm 10 kanë dalë pozitivë. Kjo do të thotë vetëm rreth 0.6 për qind e lojtarëve dhe stafit të Bundesligës, nga të cilët 3 ishin të Këlnit që javën e kaluar. Gjithsesi, edhe kaq mjafton që të ketë shqetësime të mëdha për përfundimin me sukses të sezonit. Të mos harrojmë se ministri i brendshëm, Zehofer, u shpreh se “nëse del një lojtar pozitiv, skuadra duhet të hyjë në karantinë (për dy javë)”. Si mund të mbyllet kampionati në këto kushte?
Për më tepër, skandal ishte video e filmuar nga Salomon Kalu, që tregonte një lojtar që i shtrëngonte dorën shokut dhe pastaj përgatitësit atletik, ndërsa nuk harroi të protestonte për rrogën, të kritikonte klubin (e Hertës së Berlinit) dhe Ligën e Futbollit. Kalu filmoi edhe shokun e ekipit, Xhordan Torunarigën që bëri tamponin për koronavirusin pa masat e duhura të higjienës. Herta kërkoi që video të mos bëhej publike, por 34-vjeçari nuk deshi t’ia dinte ndaj edhe klubi e pezulloi. Ndoshta do të largohet nga Berlini, por problemi është a do të luhet dot Bundesliga!
Sfidanti.al