Uli Hënes merr vendim për Kovaçin: E mbroj me gjakun tim!

Dikur, tek Mançester Junajtidi, kjo u bë parulla e drejtuesve të viteve 1986-1991. Për 5 vjet me radhë, presidenti Martin Eduards e mbrojti me “gjoks” Aleks Fergusonin edhe pse skocezi i madh nuk fitoi asnjë trofe deri në 1991. Një gjë të tillë ndoshta po nis ta bëjë Uli Hënes tek Bajerni. Presidenti bavarez, i doli fuqishëm në krah trajnerit Niko Kovaç, pas humbjes së tmerrshme me Mynshengladbahun në Bundesligë.

“Do ta mbroj Kovaçin me gjakun tim, deri në vdekje, – tha ish-futbollisti i madh i Bajernit dhe i Gjermanisë Perëndimore, – ai ka fjalën time dhe mund të vazhdojë punën i qetë”. Skuadra nuk po ecën aspak mirë, por Hënes beson se ka dalluar një fitues te trajneri kroat, i cili mund të ndihet i sigurt. Një garanci për Kovaçin është fitorja e Kupës së Gjermanisë sezonin e kaluar tek Frankfurti, duke mundur në finale pikërisht Bajernin.

Sfidanti.al