S’ka gol ndaj Bajernit, por Frankfurti thotë: Dëshira jonë? Fitorja!

Trajneri i Ajntrahtit, Adi Hyter, mund të mburret se në sezonin e parë në stol tek Frankfurti, ia doli t’i shënonte gol çdo skuadre të Bundesligës. Ah jo, ka një përjashtim, pasi nuk ka mundur t’i realizojë Bajernit. Edhe pse është vënë dy herë përballë këtë sezon, është mundur “paq”, 0-5 në finalen e Superkupës dhe 0-3 në ndeshjen e kampionatit në Frankfurt.

Pra, çfarë shprese mund të ketë ekipi i tij, i shkatërruar dy herë? “Dëshira jonë është që të fitojmë ndeshjen, – thotë Hyter, – do të ishte kënaqësi e madhe për mua personalisht, që të thoja pas këtij sezoni se i shënova çdo skuadre të Bundesligës. Natyrisht, ndaj Bajernit është më e vështirë”. Tekniku i Ajntrahtit thotë se Bajerni do të jetë favorit, por gjithashtu shton se ka mënyra për ta “lënduar”.

Hyteri e izoloi skuadrën që nga dita e hënë, diçka jo edhe aq e shpeshtë në Gjermani. Kjo, pas eleminimit dramatik nga Çelsi në Ligën e Europës, por sidomos ngaqë mori vetëm 1 pikë në tri ndeshjet e fundit në shtëpi. “Ne donim të ishim në paqe, në qetësi, – thotë trajneri, – jemi të zhgënjyer për gabimet në Bundesligë, por duam të shkaktojmë të papritur”. Kjo e papritur mund të ndihmojë Dortmundin që të shpallet kampion.

Sfidanti.al