Qesh mirë kush qesh i fundit, por a do të qeshë Bajerni në 2 shtator?!

Prej shumë vitesh nuk mbahet mend një pragsezoni me problematik për Bajernin sesa ky i tanishmi. Klubi më i madh i Gjermanisë, një nga më të shquarit e botës, cilësohet si i paaftë për të marrë përforcime cilësore, në “luftë civile” në bordin drejtues, dhe me lojtarë që kritikojnë publikisht e me trajner që nuk dihet sesa kohë do të mbijetojë. Nuk pritej një gjendje e tillë për një klub nga Gjermania, nga Bavaria, për të cilin besohej se punët ecnin si “sahat zviceran”.

Kritikat janë të ashpra në media dhe në brendësi të klubit, edhe pse duhet thënë se 2 shtatori nuk ka ardhur ende, dhe bavarezët edhe mund të marrin ndonjë (apo më shumë) lojtar të madh. Leroi Sane nuk erdhi, Hadson-Odoi po ashtu, ndërsa vetëm Ivan Perishiç duket pak. Siç u shpreh Levandovski javën e kaluar, “humbëm 3 lojtarë të mëdhenj në sulm, Riberinë, Robenin dhe Hamesin, dhe na duhen 3 të tjerë të këtij niveli”. Kjo nuk po ndodh dhe sulmuesi polak ka frikë për “barrën që do t’i bjerë mbi supe”.

Në agim të sezonit të ri duket se dominimi i Bajernit në Bundesligë mund të marrë fund pas 7 titujve radhazi. Dortmundi është fare pranë, siç e tregoi sezonin e kaluar dhe ka bërë përforcime mjaft të mira. Flitet se dy bosët, Hënes e Rumenige, nuk shkojnë mirë mes tyre, pra si mund të ketë “hajër” një klub i tillë?!

Sfidanti.al