Po merren vesh Bajerni dhe Alaba? Si i bëhet rrogës 20 milionë euro?!

Kur mbërriti në Mynih ishte ende një “buzëqumësht” vetëm 16-vjeçar. David Alaba është sot një lojtar shumë i rëndësishëm i Bajernit, por sesi ndodhi që drejtuesve bavarezë u shpëtoi gjendja nga duart dhe austriakut i ka mbetur më pak se 1 vit kontratë, deri në qershor 2021. Këto javë pati shumë nerva mes palëve, dhe shefi ekzekutiv Rumenige u shpreh ashpër për lojtarë që e kanë kokën përmbi re, dhe nuk i kanë këmbët në tokë. Thuhet se Alaba kërkoi 20 milionë euro në sezon, diçka që e skandalizoi Bajernin. Tani, “Kikeri” informon se palët po merren vesh dhe se tendenca është pozitive. Nuk dihet se farë ka ndodhur me rrogën 20-milionëshe, por ndoshta nuk do të ketë transferim në Francë, Angli apo Spanjë, por rinovim kontrate për 28-vjeçarin që cilësohet nga vetë drejtuesit bavarezë si “Bekenbaueri i zi”.

Sfidanti.al