Përse Bajerni humbi 80 milionë euro në vit nga BMV-ja?!

Një marrëveshje e tillë quhej e planifikuar dhe thuajse e përfunduar. Papritur, një sinjal negativ erdhi nga gazeta “Frankfurter Algemajne Zontagcajtung”, pra që akordi i parashikuar mes Bajernit dhe BMV-së ishte drejt dështimit. Tashmë, vetë klubi bavarez e pohoi një gjë të tillë, ndonëse në mënyrë të rezervuar.

Nuk bëhej fjalë për pak, por për plot 800 milionë euro kontratë me një kohëzgjatje 10-vjeçare, pra 80 milionë euro në vit. Një sponsorizim-rekord për gjigandët gjermanë, që aktualisht kanë marrëveshje sponsorizimi me Audin, prej 40 milionë eurosh në sezon. Për më tepër, BMV-ja duhej të blinte 8.3 për qind të aksioneve të Bajernit që i ka Audi, dhe që kushtojnë rreth 200 milionë euro, por Audi nuk deshi të negocionte.

Përse dështoi akordi i madh? Një nga arsyet kryesore ka të bëjë me problemet e BMV-së me autoritetet e Bashkimit Europian, pasi kompania gjermane është nën akuzë bashkë me Daimlerin dhe Folksvagenin. Gjoba mund të shkojë miliarda euro, pra BMV-ja nuk ia kishte ngenë të ndante edhe 800 milionë euro për Bajernin. Gjithsesi, Audi ka propozuar rritje të sponsorizimit, deri në 60 milionë euro në vit, pra “kur nuk ke pulën, do të hash sorrën”, ndonëse “pula” dhe “sorra” në këtë rast, bëjnë “vezë të arta”.

Sfidanti.al