Parashikimi i Mateusit: Ose Flik, ose Salihamixhiç, të dy nuk munden!

Bajerni po kalon një nga krizat më të thella të historisë së tij, me konfliktin e hapur mes trajnerit Hansi Flik dhe drejtorit sportiv, Salihamixhiç. Një gjykim e jep ish-kapiteni bavarez, Lotar Mateus, i cili deklaron për “Bildin” se është e pamundur që të dy ata të jenë së bashku, njëri duhet të largohet nga Mynihu. “Konflikti ka shkuar shumë përpara, – deklaroi Mateusi, – nuk shoh sesi mund të pajtohen, pavarësisht se çfarë mund të bëjë klubi”.

Tifozët, ndërkaq, e kanë shumë të qartë qendrimin e tyre. Në një sondazh të revistës “Kiker”, 93.2 për qind e tyre ishin pro Flikut dhe vetëm 6.8 për qind me drejtorin sportiv. Yjet bavarezë po stërviten jo edhe aq të qetë në prag të sfidës së kthimit në Champions ndaj Paris SG, ndërsa klubi bëhet e ditur se do të marrë një vendim pas ndeshjes në Francë. Ndoshta do të jetë tepër vonë, me parizienët që janë favoritë pas fitores 3-2 të arritur në sfidën e parë çerekfinale në Mynih.

Sfidanti.al