Njëmbëdhjetë fitore, 1 barazim, 1 humbje, 36 gola të shënuar e 14 të pësuar, ndërsa me 34 pikë shkon me hap të sigurt drejt Bundesligës së dytë. E tillë është kryesuesja e Bundesligës së tretë, Paderborni, ekipi ku dikur luajti Alban Meha, ish-lojtar i Shqipërisë dhe i Kosovës. Për mediat gjermane, skuadra që luan në “Stadiumin e Kënaqësisë” (Grund zur Freude – Grund cur Frojde), është një kënaqësi e vërtetë, një nga historitë më të mëdha, ashtu si shkarkimi i Karlo Ançelotit dhe kthimi tek Bajerni i Jup Hajnkesit.
Në mesjavë, Paderborni triumfoi 2-0 në Kupën e Gjermanisë ndaj Bohumit të kategorisë së dytë duke arritur në turin e tretë, duke u futur mes 16 ekipeve më të mira, në të tetat e finaleve. Trajneri Shtefen Baumgart kërkon, megjithatë, që suksesi në Kupë të quhet “histori”. “Ne duhet të jemi të fortë mendërisht dhe të sillemi si punëtorë të futbollit, – shprehet ai, – nuk kemi fituar ende asgjë”. Kjo javë ishte një sukses edhe për kontratat, pasi rinovuan Sven Mikel, Robin Krause dhe Sebastian Shonlau. Me një buxhet aspak të madh, vetëm 8 milionë euro, Paderborni synon të hyjë në histori, ndërsa ecuria e tij quhet edhe më e mirë sesa e gjigandëve Barcelona e Paris SG. Këto vërtet nuk kanë humbur asnjë ndeshje, por potenciali i tyre as që mund të krahasohet me atë të klubit të vogël gjerman.
Sfidanti.al