Mbasi trajneri i parë i Arminia Bilefeldit, Xhef Sanbene, shpjegoi planin taktik që do të duhet të ndiqnin lojtarët e tij në ndeshjen e radhës ndaj Aintrahtit të Braunshvajgut, kur erdhi radha për fjalimin motivues, në “skenë”, në dhomën e zhveshjes, doli Karsten Rump, “njeriu i ngarkuar me detyrat e posaçme” në këtë klub që luan në Bundesligën e dytë gjermane, që mbajti një fjalim motivues të jashtëzakonshëm:
“Tani, më degjoni mirë mua. Atje jashtë, juve ju presin 25 000 veta, që ju të dilni në fushë dhe të shpërtheni! Më premtoni, këtu, mua se ju do të jepni gjithçka nga vetja, për familjet tuaja, për fëmijtë tuaj, për prindërit, gjyshet dhe gjyshërit tuaj, më premtoni se ju do të bëni të pamundurën brenda 90 minutave të ardhshme dhe do të fitoni”, klithte, më një zë të ngjirur e të fortë deri në “kupën e qiellit”, ndihmëstrajneri Rump, fjalimi motivues i të cilit ta bënte trupin me mornica dhe t’i ngrinte qimet e flokut përpjetë, ndërsa futbollistët iu përgjigjen atij me një zë të fortë e unik, “Poooooo!”.
Dhe ata dolën në fushë dhe e siluruan ekipin kundërshtar me rezultatin e thellë 6-0!. Dikush tha se, edhe vetë Bajerni i Mynihut, vështirë se do të mund të merrte ndonjë pikë në Bilefeld, mbas këtij fjalimi motivues që i ngriti me forcë në këmbë lojtarët e Arminias. Në fakt, ky ekip i Bundesligës së dytë gjermane po lufton për mbijetesë dhe ende, edhe mbas fitores së fundit, asgjë nuk është e sigurt. Sfidanti.al