Dikur një gafë e tillë thuajse i kushtoi vendin e punës prezantueses së Studio Sportit të ZDF-së, Karmen Tomas, por sot po përdoret me theks pesimizmi. Shalke në Gjermani njihet si “Shalke 04”, për shkak të vitit të themelimit, 1904, por tashmë tifozët kanë nisur ta quajnë “Shalke 05”, madje edhe “FSV Shalke 05”. Këto shenja janë të klubit tjetër gjerman, Maincit, i cili e ka emrin e plotë “FSV Mainc 05”, dhe tifozët e përdorin për Shalken për të tallur drejtorin e tyre sportiv, Kristian Hajdel. Ky i fundit ka ardhur pikërisht nga Mainci, ndaj edhe tifozët e tallin kështu.
Kjo tallje lidhet edhe me pozicionin e Shalkes në renditjen e Bundesligës, aktualisht në vendin e 14-të, aty ku ndoshta mund të ishte mësuar Mainci i drejtorit Hajdel, por jo “Blutë Mbretërorë”. Skuadra e trajnerit Tedesko është ende në Champions, pra në një sezon jo për t’u hedhur poshtë, por ajo që po ndodh në Bundesligë, do të thotë se vitin tjetër nuk do të jetë as në Ligën e Europës.
Dëshpërimi i tifozëve është i tillë, saqë ata mendojnë se do të duhen shumë vite që skuadra e tyre e zemrës të kthehet në Champions. Shalke sot ka një skuadër thuajse mediokër, dhe simboli më i mirë i rënies së saj ishte goli i shkëlqyer i shënuar nga Leroi Sane për Mançester Sitin, pasi Sane ka qenë pikërisht lojtar i Shalkes.
Pavarësisht nga dështimet, sërish tifozët kanë mbetur besnikë se “Arena auf Shalke” vazhdon të mbushet plot e përplot, në kapacitetin e saj mbi 61 000 spektatorë. Gjithsesi, më shumë sesa nofka “Blutë Mbretërorë”, për Shalken po përdoret epiteti tjetër, “Karagjozët”.
Sfidanti.al