Kriza prek edhe Gjermaninë; kur nuk ka para, ka huliganë!

Gjermanët thuajse gjithmonë kanë qenë të kujdesshëm me shoqërinë e tyre, por ja që edhe në vendin e madh europian kanë rinisur problemet me huliganët. Mediat njoftojnë se policia ka bërë 32 arrestime pasi tifozë të Dortmundit sulmuan ata të Lajpcigut në përballjen e javës së fundit në Bundesligë. Lajmet janë që rreth 400 tifozë vendas u përpoqën të sulmonin autobusin e skuadrës udhëtuese, por policia nuk i lejoi.

Të zemëruar nga mossuksesi, ata iu kthyen tifozëve të Lajpcigut, duke mos dashur të dinë se përpara tyre nuk kishte huliganë apo ultras të tjerë, por tifozë familjarë, gra dhe fëmijë. Policia njofton se “zemërimi i tyre u drejtua ndaj kujtdo që identifikohej si tifoz i Lajpcigut”. Një nga oficerët u shpreh se kurrë në jetën e tij nuk kishte parë një barbari të tillë, ndërsa shefi ekzekutiv i Dortmundit, Vacke, premtoi se klubi do të punojë me tifozët për të gjetur dhe izoluar fajtorët.

Gjithsesi, do të ishte gabim nëse do të mendohej se huliganizmi ka thjesht arsye sportive. Buletinet ekonomike nga Gjermania tregojnë se, pavarësisht nga përballimi i krizës botërore, problemet janë, dhe rreh 20 për qind e njerëzve jetojnë në kufirin e varfërisë. Kjo është shumë kur flitet për një nga vendet më të zhvilluar, më të organizuar dhe ndër më barazitarët në botë. Ç’mund të thuhet për të tjerët?

Sfidanti.al