Përpara ndeshjes, presidenti Uli Hënes lëshoi një lloj ultimatumi. “Të shtunën në orën 18:30 nuk ka më justifikime, – tha ai, – skuadra duhet të tregojë veten. Nuk e mendoj aspak humbjen, pres fitoren dhe nuk ka alternativë”. Bajerni iu përgjigj numrit 1 të klubit, aq sa çuditi edhe veten. Trajneri Niko Kovaç mbeti vërtet i habitur nga ajo që pa.
“Futbolli është i paparashikueshëm, nuk arrin ta shpjegosh dot, – tha kroati, – ne kemi luajtur edhe herë të tjera ndeshje të mira, por nuk kemi fituar kështu. Por, mirë që fituam këtë herë”. Ja pra, në mesjavë, në Kupën e Gjermanisë, mezi u mund 5-4 Hajdenhajmin e kategorisë së dytë, ndërsa tani 5-0 rivalin për titull.
Edhe Tomas Myleri e ndjeu ndeshjen si shumë të veçantë. “Pjesa e parë ishte vërtet e pabesueshme, – u shpreh sulmuesi, – rrallë kam parë atmosferë të tillë në “Alianc Arena”. Ishte një adrenalinë e vërtetë”. Robert Levandovski, gjithsesi, u tregua i përmbajtur. “Është e vërtetë që motivimi për ndeshjen ishte i madh, – tha polaku, – u kuptua që përpara sesa të dilnim në fushë, por ne jemi vetëm 1 pikë përpara. Dueli vazhdon”.
Sfidanti.al