I pari është 74 vjeç, ndërsa i dyti 67, si lojtarë kanë qenë kundërshtarë të mëdhenj, ndërsa tek Bajerni kanë bashkëpunuar me sukses. Jup Hajnkes thotë se Uli Hënes është një nga miqtë e tij më të mirë, një njeri të cilin e njeh prej dekadash. “Unë e besoj Ulin, dhe ai më beson mua, – thotë ish-trajneri, – unë e di se ai do të jetë gjithnjë kur unë të kem nevojë, edhe në momentet më të këqija. Më pëlqen ky djalë, djali Uli Hënes”.
Pasi vlerëson se Hënesi investoi gjithë zotësinë e tij në profesionin e presidentit dhe të drejtuesit në përgjithësi (“unë e quaj këtë pasion”), Hajnkesi tregon se çfarë e mërzit më shumë bavarezin e madh. “Kur shtrembërohen faktet, ai bëhet keq, – thotë Jupi, – kur sulmet bëhen personale, dhe kur nuk janë korrekte. Kjo e mërzit shumë, pasi ai është njeri shumë i rezervuar dhe i ndjeshëm”. Suksesi më i madh i përbashkët i tyre ishte mbrëmja e Londrës, gjashtë vjet më parë kur Bajerni fitoi Championsin. “Mendoj se ai është momenti më i madh në karrierën e Hënesit”, – spekullon duke qeshur Jup Hajnkesi.
Sfidanti.al