Niko Kovaç është duke bashkuar kombet në misionin e tij europian tek Frankfurti. Kështu titullon faqja zyrtare e Bundesligës, ndërsa bën një analizë të trajnerit të Ajtrahtit, që sezonin e ardhshëm do të shkojë tek Bajerni. Frankfurti u kualifikua për në finalen e Kupës së Gjermanisë, duke siguruar Ligën e Europës, pasi do të jetë përballë ekipit të tij të ardhshëm, Bajernit, që do të luajë në Champions.
Fitorja 1-0 në fushën e Shalkes ishte kulmi i momentit i një sezoni shumë të suksesshëm, ndërsa kroati është në drejtim të skuadrës më ndërkombëtare të Bundesligës. “Internacionalja” e tij ka lojtarë nga 14 kombe të ndryshëm, më shumë sesa çdo ekip tjetër në elitën e futbollit gjerman. Në skuadrën e tij multietnike ka dy serbë, një kroat, një holandez, një japonez, një finlandez, një suedez, një amerikan, dy francezë, një ganez, një spanjoll, një argjentinas, një zviceran, një meksikan si dhe padyshim disa gjermanë (saktësisht 7).
Vetë trajneri është kroat, ndërsa thekson se “gjuha jonë e punës është gjermanishtja, pasi të gjithë janë të detyruar ta mësojnë dhe ta flasin”. “Ne flasim gjuhë të ndryshme, por gjermanishtja është gjuha e vendit, plus kemi edhe gjuhën e futbollit, që e kuptojmë të gjithë”, – thekson Niko Kovaç. Kroati ka edhe dy synime përpara se të largohet, së pari të fitojë Kupën, dhe së dyti të kualifikojë skuadrën për në Champions, duke dalë në vend të katërt. Kjo do të jetë e vështirë, pasi Frankfurti është i 7-ti, 5 pikë larg zonës Champions kur duhen edhe 4 javë deri në fund të Bundesligës.
Sfidanti.al