Gjermania nuk është vetëm Bajerni i Mynihut apo Borusia e Dortmundit, dhe as vetëm derbi i Ruhrit. Poshtë Bundesligës, “gëlon” një mori me klube të tjerë, shumë nga të cilët e kanë të vështirë të mbijetojnë në klimën e ashpër ekonomike të Europës. Njëri prej tyre është Projsen Mynsteri, sot ekip i kategorisë së tretë, por dikur një emër i lavdishëm, themelues i Bundesligës në 1963. i themeluar në 1906 si një klub patriotik, që e mori emrin Projsen (Preussen) për nder të Prusisë (shtetit që bashkoi Gjermaninë në kohën e Bismarkut), sot ai po vuan nga një borxh i papritur.
Inventari dhe analiza e fundit financiare, tregoi se Projseni ka 4.4 milionë euro borxhe, diçka që ia bën jetën shumë të vështirë. “Duhet të shtrëngojmë rripin, – thotë presidenti Kristof Shtreser (në foto), – po bëjmë kursime të shumta në çdo sektor. Tek profesionistët, të rinjtë, stafi, administrate, të gjithë duhet të kenë më pak para këtë vit. Kemi mbërritur fundin, por po bisedojmë me njerëz të biznesit”.
Tifozët po përpiqen të bëjnë çmos që ekipi të shpëtojë. Ata do të jenë në një numër prej rreth 6 000 spektatorësh për ndeshjet shtëpiake, në mënyrë që klubi të mbledhë para nga biletat. Nuk është hera e parë që Projsen Mynsteri kalon kriza të tilla, ndërsa në të kaluarën ka bërë si ka bërë, dhe ia ka hedhur.
Sfidanti.al