“Gjyshi” Funkel kritikonte Kovaçin, por tani Bajernin e drejton Fliku!

Këtë fundjavë, kampionët e Gjermanisë do të kenë përballë Fortunën e Dyseldorfit në Bundesligë, dhe mediat nuk harruan të përcillnin sërish fjalët e mëparshme të trajnerit Fridhelm Funkel, që kritikonte punën e ish-trajnerit bavarez, Niko Kovaç. Fjalia e tij ishte e thjeshtë, “ju pësoni shumë gola”. Gjithsesi, “gjyshi” Funkel (65 vjeç) mund të ndihet i shqetësuar pasi Bajerni tani nuk ka në stol kroatin, por Hans Flikun. Nën drejtimin e ndihmësit të Kovaçit, kampionët nuk kanë pësuar gol në dy ndeshje radhazi, në fitoren 2-0 ndaj Olimpiakosit në Champions, dhe në suksesin 4-0 ndaj Dortmundit në Bundesligë.

Nuk dihet nëse këto rezultate janë efekt i lehtësimit të lojtarëve pas largimit të trajnerit të mëparshëm, apo meritë e punës së Flikut. Ky i fundit, padyshim, e njeh shumë mirë skuadrën pasi ka qenë aty në stërvitje dhe në ndeshje, ndërsa duhet theksuar se problemet me dëmtimet mbeten. Niklas Zyle e Lukas Hernandez janë të pamundur, ndërsa Fliku ka tërhequr në qendër të mbrojtjes Havi Martinezin, dhe mbrojtësin e majtë Alabën, duke tërhequr në krah, një lojtar ofensiv si Alfonso Dejvisin.

Sfidanti.al