Tri ndeshje, tri fitore dhe asnjë gol i pësuar. Kjo është ecuria e kampiones së Gjermanisë në Bundesligë nën drejtimin e atij që quhet “trajneri-kujdestar”, Hansi Flik. Ish-ndihmësi i Niko Kovaçit po e shfrytëzon më së miri mundësinë që të jepet ndoshta një herë në jetë dhe për të flasin loja e rezultatet. Suksesi 4-0 në fushën e Fortunës së Dyseldorfit ishte i treti radhazi, ndërsa golaverazhi 10-0.
Me këto prova, Bajerni nuk po nxitohet dhe fjala është që do të pritet të paktën deri në Krishtlindje për trajnerin e ri, nëse do të vendoset për një të ri. Tomas Tuhel apo Maurisio Poçetino po përmenden këto ditë, ndërsa Flik thotë me sportivitet. “Jam i lumtur që Bajerni ka kohë të presë deri në Krishtlindje, – tha ai, – le të mos mendojmë për këto gjëra, por të vazhdojmë të punojmë ashtu si deri tani. Gjithçka që mund të them është që më pëlqen të punoj me skuadrën, dhe është lumturi e madhe që kjo punë mund të sjellë këto rezultate”.
Flik gjithsesi nuk ishte 100 për qind i kënaqur nga lojtarët e tij sepse “në pjesën e dytë bëmë shumë gabime, ndaj duhet të punojmë fort”. Ai ka si etalon pjesën e parë kundër Dortmundit, dhe thotë se ajo duhet të jetë shembulli sesi duhet të luajë Bajerni. Duke nisur që nga ndeshja e së martës në Champions, në fushën e Crvena Zvezdës në Beograd.
Sfidanti.al