Flik ka një plan për Kutinjon: Nuk është integruar ende sa duhet!

Tek Liverpuli ishte një mrekulli, ndërsa tek Barcelona u kthye në një “qiri që po shuhej”. Bajerni erdhi si mundësia e karrierës për Filip Kutinjos, por braziliani ende nuk po tregon gjithë cilësitë që ka. Ai herë ka qenë shumë mirë, por herë modest, dhe tifozët ende nuk janë të sigurt se çfarë note duhet t’i vendosin. Trajneri Hansi Flik duket se e ka gjetur arsyen se përse shpesh Kutinjo “humbet”. “Ai është një lojtar i shkëlqyer dhe me potencial shumë të madh, – tha trajneri i Bajernit, – por, ai duhet të ndërveprojë më shumë me shokët, duhet të jetë më afër me ta. Shoh se nuk e kemi integruar ende sa duhet”.

Fliku ka planin e tij, ndërsa bisedon me të gjithë lojtarët, dhe ka besim se Kutinjo do të jetë pjesë integrale e skuadrës së tij për fazën e dytë. “Përgatitjet në Doha për të ishin shumë të mira, dhe po ashtu vazhdojnë, – thotë trajneri bavarez, – ka shumë gjëra të planifikuara për javën që vjen, lojë me topin. Shpresoj që ndaj Hertës të tregojë se çfarë klasi ka”. Gazeta “Bild” thekson e kënaqur se Kutinjo nuk po tregon sjellje prej ylli, por prej lojtari të përkushtuar. Ai do të jetë shumë i rëndësishëm pasi kampionët e Gjermanisë kanë shumë dëmtime.

Sfidanti.al