Dyreni nuk bënte dot surprizë në “Alianc Arena”, Bajerni fiton në Kupë!

Në kushte normale, ndeshja do të ishte luajtur në stadiumin e skuadrës modeste. Në prani të 6 000 apo të 9 000 tifozëve (nëse do të ishin lejuar) gjithçka mund të kishte qenë krejt ndryshe, por në hapësirën imponuese të “Alianc Arenës”, me shumë pak njerëz brenda, trysnia ishte shtypëse për një skuadër amatore si Dyreni. Ndeshjen e turit të parë të Kupës së Gjermanisë, Bajerni e fitoi 3-0 me dy gola të shënuar nga sulmuesi i ardhur nga Paris SG, Çupo-Moting, dhe një nga veterani Tomas Myler. Në fushë nuk ishin Levandovski, Kimih, Nojer, Gorecka, Lykas Hernandez, Alaba, Toliso, Koman apo Gnabri, pra thuajse një formacion i plotë, por ishin sërish lojtarë shumë të mirë si Boateng, Zyle, Dejvis, Martinez, Dagllas Kosta apo Myler. Trajneri Hansi Flik i kishte udhëzuar mirë lojtarët e tij që nuk bënë asnjë lëshim dhe Bajerni e nisi mbrojtjen e Kupës me fitore të thellë.

Dyren: Jakmuth, Sobieh, Veber, Beker, Viperfurt (Mabanza), Puc, Shtorman (Sarikaja), Omerbashiç, Simon (Matushçik), Antoski (Bleja), Brashniç (Lo Iakono).

Bajerni: Nybel, Sarr, Boateng, Zyle (Shtiler), Dejvis, Martinez, Roka, Dagllas Kosta (Zib), Myler (Dajaku), Musiala, Çupo-Moting (Arp).

Golat: Çupo-Moting 24’, Tomas Myler 35’ (p), Çupo-Moting 75’.

Sfidanti.al