Dortmundi, me rekordet e transferimeve në Bundesligë

Natyrisht që nuk mund të ishte Bajerni, pas bavarezët shpenzojnë për të marrë, dhe nuk inkasojnë për të larguar. i takon, pra, Dortmundit që të ketë nderin për rekordin e transferimeve në Bundesligë, dhe këtë e kujtoi edhe kalimi (në verë) i Kristian Pulishiçit për tek Çelsi.

Gjithsesi, rekordin e ka një futbollist tjetër, dhe pikërisht Usman Dembele, që u bashkua me Barcelonën për 105 milionë euro, plus edhe shumë miliona të tjera në bazë të klauzolave të marrëveshjes. Në vend të dytë është Kevin De Brujn, ish-lojtar i Volfsburgut, që kaloi tek Mançester Siti për 75 milionë euro.

Pulishiç vjen i treti, me 64 milionë euro që Dortmundi do të marrë nga blutë e Londrës, e pas tij Pjer-Emerik Obamejang që iku nga Borusia tek Arsenali për 63.75 milionë euro. Leroi Sane i Shalkes u bashkua me Sitin për 50 milionë euro, dhe ja ku vjen edhe Bajerni që fitoi 46 milionë euro kur Dagllas Kosta u bë lojtar i Juventusit disa vjet më parë.

Granit Xhaka vazhdon në listë me transferimin e tij prej 45 milionë eurove nga Mynshengladbahu tek Arsenali. Ndër lojtarët e rëndësishëm të transferuar nga Dortmundi janë edhe Henrik Mkitarian tek Arsenali për 42.5 milionë euro, si dhe Mario Gëce e Mats Humels, tek Bajerni për 37 e 35 milionë euro.

Sfidanti.al