Nëse mund ta fitosh Bundesligën si një nxënës, kjo do të ishte një mrekulli. Është pikërisht ky objektivi i Borusias së Dortmundit, edhe pse u mor një goditje e rëndë në fushën e Fortunës së Dyseldorfit. Vendasit ia dolën 2-1 në ndeshjen e mesjavës në Bundesligë, duke i dhënë shans Bajernit që ta shkurtojë largësinë me kreun (pra me Dortmundin) në 6 pikë.
Borusia ishte ekipi që bëri lojën edhe në stadiumin e Dyseldorfit, ndonëse edhe vendasit nuk ishin thjesht spektatorë. Ata shënuan në kundërsulm me anë të Kevin Shtëgerit, dhe 10 minuta më pas dyfishuan rezultatin. Trajneri Lysien Favre kishte lënë në stol Xhejdën Sançon dhe Pako Alkaserin, por ishte pikërisht sulmuesi spanjoll që shënoi për 1-2, me golin e 10-të të sezonit. Barazim nuk pati, por Favre nuk u paraqit shumë i dëshpëruar.
“Ne jemi skuadër shumë e re, – tha ai, – ne po mësojmë pas çdo ndeshjeje dhe kjo do të na bëjë mirë. Sezoni është i gjatë, dhe është gjë e madhe që e mbyllëm gjysmën e vitit si kampionë të dimrit”.
Sfidanti.al