Pesë Këpucë të Arta të Europës për Mesin, një mbi Ronaldon!

Rivaliteti padyshim që vazhdon, edhe pse jo në të njëjtën “fole”. Gjithsesi, trofeu individual i radhës që mori Lionel Mesi i përket sezonit të kaluar, kur ishte në garë me Kristiano Ronaldon. Argjentinasi i Barcelonës u shpall Këpuca e Artë e Europës (pasi më parë doli Këpuca e Artë e La Ligës), me 34 gola në edicionin e kaluar. Ai fitoi garën me dy gola më shumë se Mohamed Salah i Liverpulit, dhe fitoi Këpucën e pestë të Artë në karrierë për Europën, një më shumë sesa Ronaldo.

Jo vetëm kaq, por numri 10 i Barcelonës kryeson edhe renditjen e këtij sezoni me 14 gola në 14 ndeshje, pra i ka shanset që ta fitojë sërish Këpucën e Artë. Mesi ia doli në këtë renditje në 2010 (34 gola), 2012 (50), 2013 (46) dhe 2017 (37). Ai është shënuesi më i mirë i Barcelonës për të gjitha kohët me 572 gola në 655 ndeshje. “Kur nisa karrierën nuk e mendoja se do të arrija deri këtu, – u shpreh ai ndërsa mori trofeun, – unë, thjesht, doja të isha një futbollist profesionist”.

Sfidanti.al