Dortmundi akuzon për “komplot” në favor të Bajernit

Kalendari i Bundesligës së re u përcaktua, dhe polemikat nisën ndoshta më shpejt sesa mendohej. E pakënaqura e madhe doli nënkampionia në fuqi, Borusia e Dortmundit, e cila gati sa nuk thotë se ndaj saj është bërë një komplot. Reagimi erdhi nga drejtori i saj sportiv, Mikael Cork, i cili deklaroi se kalendari i jep ndihmë Bajernit, dhe dëmton skuadrën e tij.

“Nëse shikoni sesi janë përcaktuar ndeshjet, do të vëreni se Dortmundi do ta ketë të vështirë pas dueleve në fazën e grupeve në Champions, – tha ai, – pas çdo takimi në Champions, ne do të luajmë jashtë fushe. Imagjinoni se çfarë shkalle vështirësie, më shumë udhëtim, më pak kohë pushimi për lojtarët, më pak mundësi për ta përgatitur siç duhet ndeshjen”.

Në të kundërt, Bajernit do t’i takojë të luajë të 6 herët në shtëpi, pas ndeshjeve në grupe. Gjithsesi, përfundimi duhet nxjerrë me rezerva, sepse sezonin e kaluar ndodhi e kundërta. Dortmundi luajti 5 herë në shtëpi pas Europës, ndërsa Bajerni ishte pesë herë jashtë. Gjithsesi, ky kalendar i vjetshëm nuk e pengoi Bajernin, që arriti 4 fitore, 1 barazim dhe vetëm 1 humbje.

Sfidanti.al