Dënimi i habitshëm i Çalhanoglusë, katër muaj nuk luan dot!

Ai vetë nuk ka bërë asgjë të keqe. Hakan Çalhanoglu, ashtu si Lionel Mesi, do të duhet të paguajë “gjynahet” e babait të tij. Historia e futbollistit turk është vërtet dramatike. Ai ishte gati për t’u nisur për në Hamburg, së bashku me shokët e tij të Leverkusenit, dhe ishte në aeroportin e Dyseldorfit. Papritur, një telefonatë: Alo, zoti Çalhanoglu, ju nuk mund të luani asnjë ndeshje dhe për asnjë klub për katër muaj!

Ç’kishte ndodhur? Këshilli i Arbitrazhit Sportiv në Lozanë thjesht konfirmoi një vendim të FIFA-s. Historia nisi në vitin 2011 kur Çalhanoglu (në atë kohë tek Karlsruhe) ra dakord të nënshkruante kontratë me Trabzonsporin, por më pas vendosi të qendronte në Gjermani. Trabzoni u ankua në FIFA në vitin 2013, “qeveria e futbollit të botës” i dha të drejtë, dhe pas një apelimi, çështja shkoi në KAS.

Vendimi erdhi si goditje e rëndë për futbollistin dhe për Leverkusenin. Drejtori sportiv, Rudi Fëler, u shpreh se “kjo është e pakuptueshme, dhe që trondit klubin dhe vetë lojtarin”. “Leverkuseni nuk ka faj për këtë, do të na mungojë një lojtar shumë i rëndësishëm për pjesën e mbetur të sezonit”, – vazhdoi ai. Çalhanoglu foli edhe ai. “Unë isha 17 vjeç në atë kohë, – tha ai, – më atë punë u mor babai im, dhe në kulturën tonë turke, ne i besojmë babait”.