Bundesliga po ngrihet, mjafton të shihni klubet gjermane në Champions!

Didi Haman, një njeri që ka fituar kampionatin dhe Ligën e Kampionëve, beson se futbolli gjerman sot është në ngritje. Të paktën përsa i përket klubeve. Ish-kampioni i Europës me Liverpulin dhe ish-futbollisti i Bajernit, beson se konkurrenca për titull në Bundesligë është tregues real i forcës së skuadrave “teutonike”. Bajerni, Lajpcigu e Dortmundi janë mirë në ligë, janë mirë edhe në Europë, dhe kanë shanse për kualifikim në çerekfinale. Kurrë më parë, 3 skuadra gjermane nuk kishin arritur 3 fitore në ndeshjet e turit të dytë.

Bajerni është shumë pranë me suksesin 3-0 ndaj Çelsit në Londër, Lajpcigu po ashtu me fitoren 1-0 në Londër me Totenhemin, dhe Dortmundi ka shanset e tij ndaj Paris SG me triumfin e ngushtë 2-1 në Gjermani (por, ka Halandin!). “E kemi fituar Championsin për herë të fundit në 2013, por besoj se mund t’ia dalim, – thotë Hamani, – unë nuk shoh ekipe më të fortë në Europë sesa ekipet tona. Liverpuli, Barcelona dhe Juventusi e patën të vështirë”. Natyrisht, mbetet edhe Mançester Siti apo Reali.

Sfidanti.al