Blerjet e reja të Bajernit: Karakteri shpesh vlen më shumë se talenti!

Tifozët prisnin dy emra që u lakuan gjatë, pikërisht Kallëm Hadson-Odoin e Çelsit dhe Serzhinjo Destin nga Holanda, por ata zgjodhën drejtime të tjera. Drejtuesit e Bajernit u detyruan të ndryshonin “objektiv” dhe të merrnin me nxitim në orët e fundit të transferimeve dy lojtarë të tjerë, Erik-Maksim Çupo-Motingun dhe Ismaila Sarrin. Drejtori sportiv, Salihamixhiç, u detyrua të jepte një shpjegim. “Ka disa gjëra që Bajerni nuk i bën”, – theksoi ai, ndonëse nuk sqaroi nëse kjo ishte në aspektin financiar apo diçka tjetër.

Përsa i përket Çupo-Motingut dhe Sarrit, i mbiquajturi “Brazo” theksoi se “disa herë karakteri ka më shumë rëndësi sesa talenti”. “Suksesi i një skuadre futbolli bazohet në disa faktorë, – vazhdoi Salihamixhiçi, – pjesët duhet të përshtaten me njëra-tjetrën. Ne vendosim theksin te personaliteti, tek djemtë që kanë karakter, që kuptojnë rolin e tyre dhe frymën e skuadrës. Kështu ndodhi sezonin e kaluar, trajneri e quan këtë shumë të rëndësishme”.

Sfidanti.al