E kemi thënë që nuk është se po shkëlqen aq shumë Bajerni i Ançelotit. Skuadra e trajnerit italian i ndenji besnike imazhit të vet dhe lojrave të këtij sezoni duke u kualifikuar për në çerekfinalen e Kupës së Gjermanisë me një fitore “të vogël” ndaj Volfsburgut. Kundër një rivali shumë më të dobët sesa në të kaluarën, bavarezët iu falën brazilianit Dagllas Kosta. Lojtari i krahut, që është cilësuar si “Riberija i ri”, shënoi që në minutën e 18-të në një sfidë që nuk rezultoi një “shëtitje”. Skuadra mike bëri çmos, por nuk ia doli përballë një Bajerni që kishte në fushë Nojerin, Lahmin, Humelsin, Havi Martinezin, Alabën, Shabi Alonson, Vidalin, Robenin, Tiago Alkantarën, Dagllas Kostën dhe Robert Levandovskin, pra praktikisht formacionin më të mirë.
Në çerekfinale u kualifikuan edhe Arminia e Bilefeldit, Hamburgu që kishte në fushë Mërgim Mavrajn, dhe Borusia e Mynshengladbahut. Rezultatet: Astoria Valdord-Arminia Bilefeld 1-1 (4-5), Hamburg-Këln 2-0, Bajern-Volfsburg 1-0, Grojter Fyrt-Borusia M. 0-2