Është tjetër gjë të drejtosh tek Ajntrahti i Frankfurit, dhe ndryshe në “Alianc Arena”. Këtë e kuptoi mirë Niko Kovaç, që nuk pati fatin për t’u pritur 7 vjet nga punëdhënësi i tij, ashtu si dikur Sër Aleks Fergusoni. Trajneri kroat u sakrifikua për 441 ditë, ndërsa burime në dhomën e zhveshjes së Bajernit tregojnë sesi ai iu vërsul disa lojtarëve, pas katastrofës në Frankfurt. Kovaç veproi si ai luftëtari vetëmohues, që e di se do të vritet, e kërkon të marrë me vete sa më shumë kundërshtarë.
Ai shigjetoi Serg Gnabrinë duke i thënë se e humbiste topin shumë lehtë, qortoi ashpër Zherom Boatengun (besohet për kartonin e kuq) duke i thënë se duhej të ishte shumë më i zgjuar, ndërsa pati edhe një sulm të përgjithshëm ndaj yjeve të tij, se “nuk luftoni dhe nuk dëgjoni”. Shkurt, Kovaçin e kishin lënë nervat dhe nuk po mundej më.
Bajerni ka bërë një listë me 4-5 trajnerë, dhe thuhet se Ralf Rangnik është favorit. Sidoqoftë, një legjendë bavareze si Bastian Shvajnshtajger “sponsorizon” Zhoze Murinjon. “Ai më ka pyetur gjatë gjithë kohës për Bajernin, – tha ish-mesfushori, – madje, kohët e fundit po mëson edhe gjermanisht”.
Sfidanti.al