U bënë tri ndeshje radhazi të fituara. Bajerni ia doli 2-1 në fushën e Maincit, veçse loja e kampionëve ishte mediokre, ashtu si ndaj Volfsburgut (3-1) dhe në Athinë ndaj AEK-ut (2-0). Trajneri Niko Kovaç e pranon atë që nuk mund të fshihet. “Fitorja ishte e rëndësishme dhe loja mund të mos quhet brilante, por pas kaq shumë problemeve që patëm, nuk mund të jetë gjithçka në rregull”, – tha kroati.
Mediat gjermane shkruajnë se Bajerni në Mainci ishte “Tiago Alkantara dhe diçka tjetër”. Mesfushori katalanas, i marrë në 2013 nga Pep Guardiola, bëri diferencën, por vështirë të mjaftojë gjithnjë, sidomos kur të vijnë ndeshjet e forta në Champions. “Mbrojtja po flinte gjumë”, – ishte kritika tjetër e Kovaçit për golin e barazimit, pësuar në nisje të pjesës së dytë.
Bajerni, sidoqoftë, u afrua në dy pikë diferencë me Dortmundin kryesues, që barazoi 2-2 në fushën e vet me Hertën e Berlinit. Kovaç shpreson vetëm që dëmtimet e Mats Humelsit dhe Leon Goreckës (autor i golit të parë në Mainc), të mos jenë të rënda.
Sfidanti.al