Bajerni fiton në Kupë, por trajneri Kovaç thotë: Jo më gabime!

Luajti mirë dhe dominoi një ndeshje që pritej shumë më e vështirë. Bajerni la pas disfatën e Leverkusenit në Bundesligë, për t’u kualifikuar në gjysmëfinale të Kupës së Gjermanisë, me suksesin 3-2 në Berlin ndaj Hertës. Në fazën e parë të sezonit, bavarezët u mposhtën 0-2 në kryeqytet, por këtë herë ishte krejt ndryshe, ndonëse sërish u desh të kaloheshin vuajtje të mëdha.

Kampionët fituan vetëm në 30 minutat shtesë, në një shpenzim të madh energjish, që nuk duhej të ndodhte me atë që dhanë në fushë. Trajneri Niko Kovaç nuk ngurron të gjejë arsyen. “Ne duhet të mos bëjmë gabime të tilla në të ardhmen, – tha ai, – gabuam gjëra elementare. Nëse do të jemi më të vëmendshëm, nuk do të pësojmë 2 apo 3 gola, dhe do ta kemi më të lehtë për të fituar ndeshjet”.

Pa dyshim, fjalët ishin mbi të gjitha për Mats Humelsin që i fali Hertës golin e barazimit 2-2. “Gabimet ndodhin, – reagoi shoku i Humelsit në mbrojtje, Niklas Zyle, – por, ne e ndihmojmë njëri-tjetrin dhe jemi grup i bashkuar”. Mitelshtat shënoi i pari për Hertën, pastaj Serg Gnabri realizoi dy herë për Bajernin, përpara sesa Zelke të barazonte. Në shtesë, Kingsli Koman, i ardhur nga stoli, shënoi golin përcaktues në 98’.

Sfidanti.al