PSG pa Nejmarin e Mbapenë? Mezi ia doli me kategorinë e tretë!

Pas humbjes së parë të kampionatit, në fushën e Lionit, Kilian Mbape u pyet sesi ishte të luaje pa Nejmarin. Sulmuesi 20-vjeçar e dha përgjigjen duke “ftuar” Valverden të flasë sesi ndihet kur nuk ka Mesin, veçse trajneri Tuhel dhe lojtarët e tjerë të PSG-së duhet të pyeten sesi është të luash pa Nejmarin, Mbapenë dhe Kavanin.

Kështu i ndodhi parizienëve në ndeshjen e Kupës së Francës në fushën e skuadrës së kategorisë së tretë, Vijfransh Bëzholo (Villefranche Beaujolais). U deshën kohët shtesë prej 30 minutash që të zgjidhej enigma e kualifikimit, madje edhe pse Mbape kishte hyrë në lojë në minutën e 62-të dhe Kavani në 79’.

Julian Draksler shënoi në 102, Musa Diabi në 113’ dhe Edinson Kavani i vuri “vulën” në 119’, në një fitore që duket e thellë dhe e këndshme, por që nuk ishte aspak e tillë. Kjo rrit edhe më shumë alarmin sesa do të jetë në gjendje skuadra pariziene për të kaluar në çerekfinale të Championsit, duke pasur përballë Mançester Junajtidin.

Sfidanti.al