Bajerni apo Europa? Cila, e ardhmja e talentit Kai Haverc?!

Karl-Hajnc Rumenige nuk e kurseu telefonatën e tij. Personi të cilit po i telefononte gjithashtu ishte një emër i shquar i futbollit gjerman, Rudi Fëler, dhe biseda mes tyre ishte korrekte 100 për qind. Shefi ekzekutiv i Bajernit përshëndeti drejtorin e përgjithshëm të Leverkusenit, dhe me edukatë i kërkoi informacion mbi Kai Havercin, yllin 20-vjeçar të skuadrës. Synimi i Rumeniges ishte i qartë, a mundej klubi i tij ta merrte djaloshin që këtë verë?

“Nuk është sekret që pati telefonata dhe që pati shumë interes, – deklaroi Fëleri për “Skajin”, – pata telefonatë miqësore dhe korrekte me Rumenigen. Ai e kuptoi se ne nuk mund ta bënim këtë. Pati shumë kërkesa për Havercin, por ne nuk deshëm të ishim të dobët. Kjo, në të mirë të Leverkusenit, si edhe të Havercit, për të cilin është më e udhës të rrijë edhe një vit me ne”. Organizatori ka kontratë deri në 2022, ndërsa përveç bavarezëve e kërkojnë edhe klube të tjerë, me siguri në Europë. Verën e ardhshme pritet të vendoset e ardhmja e tij.

Sfidanti.al