Me gjasë edhe ka të drejtë sepse nuk pëlqen një sulm të tillë nga ata që i quan si aleatë. Bajerni i Mynihut është ndjerë shumë i bezidisur dhe i mërzitur nga fjalët e thëna nga presidenti i Federatës Gjermane të Futbollit, Fric Keler, për sjelljen e klubeve të pasur dhe lojtarëve gjithashtu të pasur, gjë që bën kontrast me krizën e shkaktuar nga koronavirusi. Keleri ishte shprehur se “ju mund ta shikoni se çfarë bëjnë të pasurit e rinj (të futbollit), disa që janë edhe në Bundesligë, që shpalosin me krenari paratë e tyre, diçka që i mërzit të gjithë të tjerët”. “Kjo është një katastrofë për imazhin e futbollit, – vazhdoi Keleri në intervistën për “Der Shpigelin”, – pas kësaj krize ne duhet t’i shohim gjërat ndryshe. Me më shumë thjeshtësi dhe duke qenë më pranë njerëzve”.
Rumenige, shefi ekzekutiv i Bajernit, përgjigjet se “ndoshta, edhe për të blerë fshesë për të pastruar derën e shtëpisë, duhet të pyesim Federatën”. “Nëse ka pasur krizë këto vite në futbollin gjerman, – shtoi ai, – kjo ka qenë në Federatë. Ne nuk e kemi të qartë se kur do të rifillojë kategoria e tretë apo kampionati i femrave. DFB-ja le të merret me këto gjëra”.
Sfidanti.al