Në futbollin italian ka shpërthyer një skandal i madh, sa i përket basteve të paligjshme nga futbollistët.
Sipas raportimeve të fundit nga “Corriere della Sera”, një hetim i thelluar i Prokurorisë së Milanos ka zbuluar një rrjet të gjerë bastesh të jashtëligjshme ku janë të përfshirë dhjetëra persona, mes tyre plot 12 futbollistë të njohur të Serisë A.
Hetimi, i cili nisi pas këqyrjes së telefonave të dy lojtarëve të njohur italianë, Sandro Tonali dhe Nikolo Fagioli, ka nxjerrë në dritë një skemë të mirëorganizuar bastesh që ka funksionuar për më shumë se dy vite, konkretisht nga dhjetori i vitit 2021 deri në tetor të vitit 2023.
Gjatë kësaj periudhe, lojtarët nuk kanë ndikuar drejtpërdrejt në manipulimin e rezultateve të ndeshjeve të futbollit, por kanë vendosur baste në disiplina të tjera sportive përmes faqeve të jashtëligjshme, duke shkelur rregullat e Federatës Italiane të Futbollit dhe legjislacionin penal.
Shuma e sekuestruar deri tani kap vlerën e 1.5 milionë eurove, ndërsa janë lëshuar pesë kërkesa për arrest shtëpie.
Hetimet kanë zbuluar se futbollistët kanë përdorur mënyra të ndryshme për të shlyer borxhet e tyre të krijuara nga bastet, përfshirë pagesa me ora luksoze të markës Rolex apo sende të tjera me vlerë të lartë, që mund të gjurmoheshin lehtësisht nga autoritetet.
Një argjendari në Milano është identifikuar si pikë kyçe në këtë skemë, ku lojtarët shkonin për të shlyer borxhet ose për të shlyer paratë.
Emrat që po përmenden në listën e të hetuarve janë të bujshëm dhe kanë shkaktuar një valë tronditjeje në ambientin sportiv: Alessandro Florenzi, Nicolò Zaniolo, Mattia Perin, Weston McKennie, Leandro Paredes, Angel Di Maria, Raoul Bellanova, Samuele Ricci, Cristian Buonaiuto dhe Matteo Cancellieri janë disa nga figurat e përfshira në këtë hetim.
sfidanti.al