Në ditën e Shën Valentinit, “Gazzetta dello Sport” ka vendosur të intervistojë dikë që ia ka besuar zemrën fanellës së Milanit: Franco Baresin. Ish-mbrojtësi foli kështu për dashurinë e tij më të madhe: “Mbaj mend që kam qenë tifoz i Milanit, i kam ashuruar këto ngjyra që kur isha 10 vjeç. Shkova për herë të parë në Milanello kur isha 14 vjeç dhe më dukej sikur po hyja në Parajsë. Milani ishte spiranca ime e shpëtimit. Humbja e nënës dhe babait kur isha ende adoleshent ishte shumë e vështirë, por Milani më priti dhe i dha kuptim gjithçkaje”. Baresi vazhdoi: “Historia ime me Milanin është e vështirë të përsëritet. Besoj se ka shumë pak marrëdhënie si kjo. Milani i dha një kuptim jetës sime dhe së bashku u rikthyem te fitorja, në ato vite me Sacchi.
Çfarë ka mbetur? Mirënjohja. Nuk ka pasur asnjë moment që mund të konsiderohej si një lamtumirë e mundshme. Qëndrimi te Milani ishte një zgjedhje jete. Kam pasur një eksperiencë të shkurtër si drejtues në Angli pasi u tërhoqa…”. Në fund, ai foli edhe për Berlusconin dhe Rivera: “Berlusconi ishte si një baba për mua dhe realizoi ëndrrat e mia. Tërheqja e fanellës me numrin 6 kur ndalova së luajturi futboll ishte diçka madhështore. Rivera ishte kapiteni im i parë. E kisha parë duke luajtur nga afër, gjatë të dielave kur isha fëmijë dhe mbledhja topat në stadium. Në fillim e kisha të vështirë t’i drejtohesha me ‘ti’, më dukej si një figurë e paarritshme, por në realitet ai më ka mbrojtur shumë. Rivera dhe Bigon ishin ata që më qëndronin më pranë çdo ditë, më mbështesnin”.
sfidanti.al